Mizofonia e ka origjinen në trurin njerëzor

Të gjithë ne kemi reagime të ndryshme ndaj disa zhurmave irrituese, kur përshembull dikush ha thonjtë e tij apo përtyp çamçakiz. Por ka persona që në kuptimin e plot të fjalës ndjejnë dëshirën për t’i goditur me grusht ata që përtypin, pinë apo marrin frymë me zhurmë. Kësaj gjendjeje i është vënë emri mizofoni.
Një studim i fundit ka zbuluar se e ka origjinen në trurin njerëzor. Duke përdorur pamjet e rezonancës magnetike, kërkuesit e Universitetit Nju Kestël në Britani, vëzhguan aktivitetin e trurit të mizofonikëve ndërsa ata dëgjonin tinguj neutrale, si shiu, tinguj të pakëndshme, si e qara e një fëmijë, dhe tingujt për ta acarues si të ngrënit, frymëmarrja, të përtypurit apo të pirët. Kur mizofonikët dëgjonin tingujt e fundit, rritej tej normave aktiviteti i kores së përparme të trurit, që është edhe pjesa e trurit që përpunon emocionet.
Kërkuesit gjithashtu zbuluan diçka që të gjithë mizofonikët kishin të përbashkët, një lidhje anormale funksionale në ato pjesë të trurit që shoqëroheshin me kujtesën. Mendohet se mizofonia mund të jetë e lidhur me pjesëza të shkuara të kujtesës. Njerëzit që vuajnë nga kjo gjendje kanë patur eksperienca të këqija, u shpreh për Nju Jork Tajms një nga studiuesit e Institutit të Neuroshkences në Universitetin Nju Kestël.
Pra mizofonia nuk është thjesht një bezdisje. Njerëzit që vuajnë nga ajo përjetojnë zemërim dhe ankth që mund t’i çojnë ata që të largohen nga dhoma ku ka zhurma, të shmangin vendet e populluara apo të arrijnë deri aty sa të lënë edhe punën për shkak të tingujve irritues. Kjo është një hapësirë e re kërkimi për neuroshkencetarët, dhe ky studim tregon se mizofonia është një çështje neurologjike. Ekziston mundësia që një studim i mëtejshëm për të do t’u japi zgjidhje reagimeve të dhunshme të personave që bezdisen jashtëmase nga ata që pertypen me gojë të hapur.