Paloka: Ridalja e Roshit dëshmon se qeveria nuk ka vullnet për dekriminalizimin

Opozita e djathtë edhe një herë ka sulmuar kryeministrin socialist Rama se ai po hedh poshtë ligjin e dekriminalizimit dhe po mbështetet tek presonat e inkriminuar. Kryetari i Grupit  Parlamentare i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha të dielën se dalja e ish kreut të Bashkisë Kavajë Elvis Roshit, në krah të ministrit të financave Arben Ahmetaj në një aktivitet politik në Kavajë, dëshmon se Qeveria nuk ka vullnet për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Zoti Paloka fton qytetarët të marrin pjesë masivisht në protestën e thirrur nga opozita me 18 shkurt për të ndalur sikundër tha krimin dhe grabitjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Zoti Ahmetaj u shfaq me ish kreun e Bashkisë së Kavajës Roshi, ku ky i fundit e prezantoi ministrin si kandidatin e ri për deputet të zonës. Zoti Roshi u shkarkua nga detyra pak kohë më parë pasi u penalizua nga ligji për dekriminalizimin. Sipas ligjit ai nuk kishte deklaruar se në të kaluarën e tij ishte dënuar për disa afera të jashtëligjshme. Roshi u mbrojt duke thënë se nuk kishte dijeni dhe i dha ngjarjes nuanca politike.