Rumani, kryeministri Grindeanu: Do hartojmë një ligj të ri antikorrupsion

Protestat e qytetarëve në Rumani kanë rezultuar të suksesshme pasi qeveria ka vendosur të tërheqë dekretin, me anë të të cilit liroheshin disa zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion. Në një dalje për mediat kryeministri Sorin Grindeanu ka deklaruar se dekreti do të shfuqizohet. Ai është shprehur se nuk ka pasur kurrë qëllimin për të ndarë Rumaninë në dy pjesë si dhe ka deklaruar se parlamenti do të hartojë një ligj të ri për korrupsionin. Protesta e qytetarëve kundër këtij dekreti ka vazhduar prej 5 ditësh. Më shumë se 200 mijë persona kanë dalë në shesh për të protestuar duke e shndërruar këtë protestë në më të madhen në vend që pas rënies së regjimit komunist më 1989. Ky dekret pritej të hynte në fuqi me datën 10 shkurt. Ai lejon që të evitohet dënimi me burg për zyrtarët e përfshirë në marrje ryshfeti, kur vlera nuk kalon 47 500 dollarë.